Gazeta Si – Irena Gjoka, gjyqtaria e Gjykatës së Posaçme, ka dhënë dorëheqjen nga dosja “Toyota Auris”, për kontrabandën e 3,4 mln eurove cash nga Belgjika në Portin e Durrësit, ku i pandehur është edhe ish-kreu i Prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka.
Gjoka ka qenë pjesë e trupës që ka shqyrtuar më herët çështjen e sekuestrimit të pasurive të Suel Çelës dhe që rezulton se kjo çështje është një nga akuzat që rëndon ndaj të pandehurve. Prandaj, për shkak të konfliktit të interesit, Gjoka sipas procedurës ka dorëzuar dorëheqjen.
Raportohet se dosja i ka kaluar, pas shortit elektronik të zhvilluar më 21 Janar, gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela.
LEXO EDHE:
– Kush është Suel Çela, nga përplasja me policinë në vitin 2017 te porositë për eliminimin e rivalëve të tij
– Përgjimet nga Belgjika për 3.4 milionë eurot në dosjen ‘Toyota Auris’ zbuluan kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka
“Kjo kërkesë për dorëheqje i është pranuar nga Zëvendës Kryetari i Gjykatës. Sipas shortit elektronik të datës 21.01.2025 kjo dosje i ka rënë gjyqtarit Erjon Çela”, informon GJKKO.
Personat nën hetim për dosjen “Toyota Auris”, janë ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi (kushëri i Elvis Vladit i dënuar për 3.4 mln euro të gjetura në makinë), të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.
Në komunikimet në aplikacionin “Sky ECC”, ata kanë diskutuar për mënyrën sesi do të ndikonin sistemin e drejtësisë për të çliruar nga sekuestro pasuritë e Suel Çelës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale.
Për këtë shkak, gjyqtarja ka vlerësuar se është në konflikt interesi dhe se mund të jetë dhe dëshmitare në proces.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.