Politike

Gjyqtarja e Elbasanit, Gjonaj: E kemi denoncuar që në 2019-ën, t’i hetohet edhe pasuria

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nuk komenton videot e gjyqtares së Elbasanit, që janë bërë virale në rrjet këto 24 orët e fundit, por thotë se ka kërkuar prej kohësh verifikimin dhe marrjen e masave ndaj saj për vendimin e dhënë ku liroi Viktor Ymerin.

“Për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal”, shkruan Gjonaj.

Pas këtij rasti, ministrja e Drejtësisë kërkon që jo vetëm të merren masat e duhura ndaj gjyqtares Enkeleda Kapedani, por të hetohet edhe pasuria e saj.

“Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje”, shkruan ministrja.

Gjyqtarja Kapedani nuk e ka kaluar ende procesin e vettingut dhe rastin e saj, Gjonaj e vlerëson si rast “tipik e një pjesë të atyre që vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda”.

“Reforma nuk ndalet. Kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund”, mbyll reagimin e saj ministrja e Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë