Nga Gazeta Si- Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi një ditë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili kritikoi gjyqtarin Ligoraq Toshi për ndërtimet pa leje.
Rama tha se gjyqtari pengoi prishjen e një ndërtese pa leje që ka bllokuar hapësirën mes dy pallateve në Tiranë. Por, për KLGJ-në deklarata të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
“Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”, shkruhet në deklaratë, ku ndër të tjera thuhet edhe se në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, “duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm”.
Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës.
“E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”.
KLGJ gjithashtu shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




