Ngjarje

Gjyqi për vrasjen e Martin Canit / Mario Përlleshaj mohon se ka qëlluar drejt viktimës

Mario Perlleshaj, autori i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani ka mohuar që të qëlluar drejt tij, duke thënë, përmes avokatit se ka qëlluar vetëm Luis Meçen, i cili mbeti i plagosur.

Sipas burimeve të Top Channel, seanca e radhës është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku kanë dëshmuar pesë të mitur në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.

Dëshmitë e të miturve janë marrë pa praninë e të pandehurit Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen. Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë edhe shtatë persona të tjerë, nga të cilët katër janë të mitur dhe do të paraqiten sërish si persona që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Martin Cani u vra më 18 nëntor të 2024-ës, pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.

Ngjarja ndezi protesta masive qytetare, me thirrje për më shumë siguri në shkolla dhe përgjegjësi institucionale për dështimin në parandalimin e dhunës. Familjarët e viktimës vijojnë të kërkojnë drejtësi të plotë dhe zbardhje të çdo detaji, në një proces që ka vënë në provë funksionimin e sistemit gjyqësor dhe mbrojtjen e fëmijëve në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë