Drejtësia

Gjyqi për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, shtyhet seanca për Dritan Rexhepin dhe të tjerët

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur shtyrjen e seancës për gjyqin ndaj “mbretit” të trafikut të kokainës, Dritan Rexhepi dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.

Shkak për shtyrjen, u bë kërkesa e avokatëve për të pasur kohë në shqyrtimin e provave të reja. Seanca e radhës do të mbahet më 21 maj në orën 09:00.

Njëri prej të pandehurve i cili u arrestua në Kosovë në 2023-in, Aldo Majnishta nuk pranoi të jepte deklarime. Gjatë seancës së kaluar, SPAK paraqiti si prova të reja bisedat në “Sky Ecc” mes Dritan Rexhepit dhe kreut të klanit Hajri në Shijak, Altin Hajri, po ashtu në kërkim për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Fjatë seancës së fundit, Rexhepi mohoi se ka porositur nga burgu këtë ngjarje kriminale duke deklaruar se nuk i njeh të pandehurit e tjerë.

“Kam dëgjuar nga familjarët e mi që akuzohesha në Shqipëri për diçka që kishte ndodhur në Angli. Mi sillni këto përgjime t’i dëgjojmë këtu dhe të shohim a jam unë apo jo. Ju i hipni trenit të gabuar dhe doni të mbërrini në stacionin që doni, por nuk keni për të arritur. Ju nuk keni respektuar asnjë procedurë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi çfarë bëj unë, jo çfarë thonë të tjerët”, – tha ai.

I akuzuari Dritan Rexhepi kërkoi ballafaqim me vëllain e Jan Prengës ndërsa mohoi se ka pasur lidhje me Altin Hajrin.

“Dëshiroj të bëhet paraqitja me vëllain e viktimës. Të vijë këtu dhe të thotë nëse ka folur apo jo me mua. Ndërsa përsa i përket emrit Altin Hajri, ky emër nuk më thotë gjë”.

Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia në vendin tonë më 8 janar 2025. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai në bashkëpunim me Gentian Doçin kanë urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës pas dyshimeve se vëllai i këtij të fundit në 2019-ën i kishte vjedhur në Angli një konteiner me lëndë narkotike në pronësi të tyre.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mesditën e 17 Janarit 2020 në Kamëz. Sipas pamjeve filmike, Jan Prenga u dërgua me një “Rang Rover” të bardhë në garazhin e në resorti në Shijak, aty ku dyshohet se ka humbur jetën. Më pas trupi i tij u zhduk për të mos u gjetur as sot e kësaj dite.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë