Nga Gazeta ‘Si’ – Mëngjesin e kësaj të hëne Erion Veliaj publikoi nga qelia një transkript të debatit që ai pretendon se ishte zhvilluar në sallën e gjyqit mes tij dhe prokurorit të çështjes, Olsi Dado ku shihej se prokurori e ka quajtur kryebashkiakun ‘ndyrësirë’.
Mbi këtë ofendim të pretenduar, Veliaj shprehet se “nuk di nëse ndonjë prokuror mund të vazhdojë më tej detyrën nëse humbet kontrollin dhe i drejtohet të pandehurit me fjalën ‘ndyrësirë’, por dukshëm ky është një nga skandalet më të rënda të drejtësisë.”
Sipas dialogut të afishuar në Facebook të Veliajt, vihej re që Dado pretendonte se është kërcënuar nga kreu i Bashkisë së Tiranës.
Reagimi i Dados ka ardhur pasi Veliaj e denoncoi atë në sallën e gjyqit si prokuror në konflikt interesi, pasi sipas tij ka marrë leje ndërtimi nga Bashkia për një objekt banimi 9-katësh me 2 kate nëntokë në njësinë administrative nr.10, në rrugën e Bogdanëve.
Mirëpo, fill pas reagimit të kryebashkiakut i cili u shpreh sipas tij se gjuha e përdorur nga prokurori ‘është e ngjashme me atë të sigurimsave në komunizëm’, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion e ka përgënjeshtuar Veliajn.
Në një reagim për mediat, GJKKO thekson se transkripti i publikuar nga Veliaj në rrjetin e tij social në “Facebook” nuk është i vërtetë.
Sipas GJKKO-së, nga verifikimi në sistemin audio të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të kryebashkiakut të Tiranës, si edhe procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.
Gazeta Panorama ka publikuar një dokument që pretendohet se është transkripti i zbardhur në seancë, i cili siç shihet nga foto, është i ndryshëm me atë që ka publikuar më herët Veliaj.

Megjithatë, mbetet për t’u verifikuar se cili është versioni i vërtetë pasi GJKKO ka bërë publike vetëm deklaratën për shtyp por asnjë fragment nga skripti i procesit gjyqësor ku pretendohet se Dado ka ofenduar Veliajn me fjalën “ndyrësirë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



