Drejtësia

Gjyqi për ‘Partizanin’, Malltezi debaton me GJKKO për ‘prokurorët politikë’

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, ka nisur këtë të hënë gjyqi në themel për dosjen “Partizani”, ku një nga të pandehurit, Jamarbër Malltezi ka nisur të lexojë 200 faqe me prova për të kundërshtuar akuzat.

Menjëherë në sallë kanë nisur debate mbi mënyrën sesi ai i cilësonte prokurorët të cilët i quan “prokurorë politikë”.

Gjykata ndërhyri duke i kërkuar Malltezit që t’u drejtohej vetëm si “prokurorë”. Por dhëndri i ish-kryeministri Berisha, e zëvëndësoi më pas fjalën me, “prokurorët pika pika”.

Malltezi e cilësoi procesin si një “përndjekje politike” dhe jo si ndjekje penale, duke pretenduar shkelje të konventave ndërkombëtare.

Ai ngriti akuza ndaj prokurores Enkeleda Millonai, duke theksuar se ajo është emëruar nga Taulant Balla, i cili, po sipas Malltezit, ka kallëzuar çështjen në emër të Partisë Socialiste.

Në sallën e gjyqit, ka përmendur po ashtu prokurorin Arben Kraja, duke deklaruar se ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit, dhe sipas tij, për këtë arsye nuk mund të jetë objektiv në këtë proces.

Në kuadër të hetimeve të aferës “Partizani”, më 16 janar, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurimit “sekuestro preventive” për pasuritë e Argita dhe Jamarbër Malltezit, i akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë