Politike

Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së, Balla: Të dalim me deklaratë urgjente! Aktakuzë e turpshme e Hagës

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa mori fjalën në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, me urgjencë, solli në vëmendje gjyqin që po mbahet në Hagë për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkesën e prokurorisë për 180 vite burg për Veselin, Thaçin, Selimin dhe Krasniqin (45 vite secilit).

Balla propozoi ndërprerjen e punimeve të parlamentit, ngarkimin e dy përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Jashtëm me përgatitjen e një deklarate urgjente të Kuvendit për t’i shprehur revoltën Hagës ndaj kësaj akuze.

“Ditën e hënë jemi njohur me një aktakuzë të turpshme në kurriz të katër ish-krerëve të UÇK. 180 vjet burg janë kërkuar ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Një aktakuzë e padëgjuar, ndërkohë që për asnjë nga personat e marrë përgjegjës penalë të ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Kuvendi i Shqipërisë të ndërpresë menjëherë punimet, të ngarkojmë Hasanin dhe Shehun në Komisionin e Politikës së Jashtme, të përgatisim me urgjencë një deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë që duhet të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve në Kuvend, për t’i bërë të qartë Hagës dhe çdo aktori tjetër se populli shqiptar nuk mund ta hedhë një baltë të tillë të hedhur kundër një lufte çlirimtare sikurse ka qenë ajo e popullit shqiptar të Kosovës dhe UÇK. Kjo deklaratë duhet të publikohet menjëherë!”, tha Balla ndërsa propozimi u miratua pa asnjë kundërshtim.

Në fund pati edhe një fjalë për Berishën.

“Ti që i ke shërbyer gjithë jetën tënde Serbisë, liroje atë foltore se le nam!”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë