Drejtësia

Gjyqi për dosjen ‘Partizani’, avokatët e Berishës: SPAK nuk ka sjellë asnjë provë

Gazeta Si – Në seancën e dosjes “Partizani”, e cila po mbahet këtë të hënë në GJKKO, avokatët e Sali Berishës, pretenduan se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë ish-kryeministrin me akuzën e “korrupsionit pasiv” për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Mbrojtja e Berishës përfaqësohet nga dy avokatët, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj. “SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha Gjyzari.

Sali Berisha po gjykohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”, ndërsa çështja kaloi për gjykim pas rreth 7 muajsh seanca paraprake.

Ishte gjyqtarja Flojera Davishi, e cila vendosi të nisë gjyqin për ish-kryeministrin, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja e Andia Pustinën.

Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”. Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për “pastrim parash”.

SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë