Gazeta Si – Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, të marrë si të pandehur në dosjen “5D”, pasi çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet.
Sipas burimeve, SPAK ka kërkuar kohë për të përgaditur listën e dëshmitarëve dhe parashtrimin e provave për çështjen penale.
Të pandehurit: Redi Molla; Mariglen Qato; Taulant Tusha; Enton Punavija; Julian Zanaj; Albano Janku; Nestor Muhametllari.
Ndërkohë më herët SPAK ka sqaruar se kompania 5D, zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtor në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar tendera në kundërshtim me ligjin nga “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.
Konkretisht, në vitin 2020, e pandehura Deborah Keçi nën drejtimin e “Klubit Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë krijuar për “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në një tender.
Gjithashtu në vitin 2019, e pandehura Eglantina Zëre nën drejtimin e “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me 4 të pandehur të tjerë, kanë favorizuar kompaninë V.A.S, e njëjtë me 5D-në sipas SPAK në përfitimin e një teneri rikonstruksioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.