Në prag të mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, një nga gjyqtaret e trupit gjykues është tërhequr.
Ajo është gjyqtarja Daniela Shirka, e cila do të zëvendësohet nga gjyqtari Florjan Kalaja, gjyqtar i komanduar në Gjykatën e Apelit Durrës, i cili ka kaluar vetingun në fund të vitit 2020.
Shirka, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka kaluar vetingun në fund të vitit 2019, por Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehu rezerva pasi konfirmimi në detyrë erdhi megjithëse u konstatua pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti.
Seanca e ardhshme për Tahirin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është parashikuar të mbahet të mërkurën në orën 10:00. Përveç Kalasë, pjesë e trupit gjykues për ish-ministrin e Brendshëm janë Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi.
Më 20 shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” duke e dënuar atë me 5 vite heqje lirie, dënim i pezulluar nga gjykata për t’u konvertuar në 3 vite shërbim prove.
Ish-ministri u akuzua për “trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, por ato u rrëzuan nga gjykata.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




