Drejtësia

Gjyqi ndaj ish-ministrit Sajmir Tahiri në Apel rinis me shtyrje

Ka nisur me shtyrje seanca e parë në Apelin e Posaçëm e procesit gjyqësor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin  e policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Shkak për shtyrje u bë mosparaqitja në seancë e dy avokatëve të Jaeld Çelës, Petrit Ismaili dhe Gentian Romano.

Njëri prej avokateve kishte paraqitur raport mjekësor për paaftësi për 14 ditë në punë ndërsa avokati tjetër ishte në një proces tjetër në Lezhë.

Në këto kushte, treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Daniela Shirka, Engert Pëllumbi dhe anëtare Igerta Hysi, kanë vendosur që seanca e radhës të zhvillohet në 5 Janar.

Prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit për Çelën, ndërsa në gjykatë i pranishëm ishte ish-ministri me avokatatin e tij.

Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale, “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”.

SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre me 5 vite burg, që u konvertua me 3.4 vite shërbim prove.

Ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja u rikthye edhe njëherë në Apel.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë