Një ditë pasi në Prishtinë u mbajt ‘Marshi për drejtësi’ në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së, të akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në këtë qytet të Holandës, po mbahet edhe një protestë nga protestues shqiptarë.
Në orën 10:00, atje ku janë të vendosura edhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, filloi protesta kundër këtij procesi.
Shumë protestues nga e gjithë Evropa kanë udhëtuar drejt Holandës për të marrë pjesë në këtë protestë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot më (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën gjyqësore. Të katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.
Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.