Aktiviteti i mbajtur në Prishtinë për eksodin biblik të kosovarëve në kohën e krizës në vitin 1999 bëri bashkë politikanët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në këtë aktivitet janë bërë bashkë të gjithë politikanët e dy shteteve shqiptare, që kanë pasur përplasje jo të pakta. Presidenti Meta dhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko ishin prezent. Që të në vitin 1999 drejtonin qeverinë në moshën më të re të tyre të karrierës politike. Majko ishte kryeministër dhe se Meta zëvëndëskryeministër, i cili drejtonte shtabin për të përballuar fluksin biblik të eksodit të kosovarëve nga trojet e tyre etnike, sipas pasojë e gjenocidit serb. Dikur bashkë, por sot janë në dy fronte të ndryshme, pasi PS-ja prej kohësh po tenton të shkarkojë presidentin Meta, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës.
Në këtë takimin ishin presidenti Hashim Thaçci, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti, i cili është në pritje të formimit të qeverisë së Kosovës. E sotmja ishte një ceremoni e realizua në shenjë falënderimi ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, për solidaritetin, mikpritjen dhe dashurinë vëllazërore të ofruar ndaj shqiptarëve të Kosovës të shpërngulur forcërisht nga trojet e tyre nga regjimi i Millosheviçit gjatë Luftës së Kosovës.
Ish-kryeministri Pandeli Majko gjatë fjalës së tij përshëndetëse u shpreh se nuk është e nevojshme që t’i adresoheshin shumë falënderime, sepse ka bërë vetë detyrën. Majko përmendi sakrificat e secilit prej liderëve kosovarë që ishin të pranishëm. “Kam përballë presidentin e Kosovës, si përfaqësuesi i delegacionit të Kosovës dhe aspiratave të saj. Kokëfortë si ai, pavarësisht se sot flet shumë për dialogun. Kam përballë kryeministrin e Kosovës, luftëtar si ai. Nuk besoj se kur mbante trupin e vëllait e mendonte se do të bëhej kryeministër. Kam përballë Albin Kurtin. Nuk besoj se në burgun e Serbisë atë kohë mendonte se do të vinte një ditë që do të përfaqësonte një forcë politike të re dhe do të ishte kandidat për kryeministër”, theksoi Majko.
Ndërsa në mënyrë indirekte ka përmendur edhe debatin e nisur mes Haradinajt dhe Ramës, ku kryeministri shqiptar e ka paditur për shpifje, duke mos harruar që të përmendte edhe faktin se me Berishën në ’97 ishin gati për luftë dhe se për Kosovën iu bashkuan.
“Nuk kemi këtu Ibrahim Rugovën dhe shumë të tjerë që nuk jetojnë më, të cilët bënë detyrën e tyre. Kështu që mendoj se ne kemi bërë veç detyrën tonë. Jemi një, por ndihemi edhe keq kur na falënderoni, sepse ne jemi vllau. Dhe vëllai edhe falënderohet edhe nuk falënderohet. A të mërzit ndonjëherë vëllai? Të mërzit dhe si thoni ju në Kosovë, kur ta sjellë në maje të hundës vëllau si shkjau. Ne për këtë arsye duhet ta duam njëri-tjetrin, për të kujtuar ato ditë të vështira, për këtë ne duhet të kujtojmë ku kemi qenë dhe se ku do të shkojmë. Nuk mund të lë pa thënë atë që përsëriti presidenti Meta, që në atë kohë të gjithë shqiptarët u bënë një, demokratë e socialistë, me Sali Berishën ne ishim gati të vriteshim në 1997-tën, por ama u mblodhëm dhe thamë një fjali, duhet të bëhemi bashkë”, tha Majko, duke marrë duartrokitjet e të pranishmëve.
Ai rrëfeu se në atë kohë, së bashku me Metën, por edhe me Ramën, mendonin dhe kishin frikë se do të kujtoheshin për keq brez pas brezi. Por pavarësisht këtyre qëndrimeve, Majko shfrytëzoi rastin që t’i bënte thirrje politikanëve kosovarë që të reflektojnë për sa i përket lëvizjes së lirë, duke e lidhur me nismën për krijimin e Shengenit ballkanik, duke i ftuar që të shikojnë pak më larg. “Duhet të dish të kujtosh, duhet të dish të falënderosh, e natyrisht duhet të dish që edhe të falësh. Unë nuk jam nga ata që fal kollaj, por ja që kam filluar edhe unë ta bëj këtë. E kam të vështirë, të mirëkuptoj konceptet e lëvizjes së lirë, por deri dje filloj të pranoj dhe të korrigjoi disa gjëra që i kisha të paprekshme. Ne duhet të ndryshojmë dhe këtë duhet ta bëjmë së bashku”, theksoi Majko.
Presidenti Ilir Meta gjatë fjalës së tij u shpreh se në kohën e krizës së luftës në 1999 të gjithë shqiptarët ishin të bashkuar. Ai përmendi si sfidën kryesore faktin e shpopullimit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Por ndryshe nga apeli i Majkos për reflektim për lëvizjen e lirë, presidenti Meta dha sinjale të kundërta gjatë fjalimit të tij.
“…Globalizmi ka aspekte pozitive që mund të përfitojmë, por një kërcenim për kombet që s’janë të vëmendshme dhe mund të dëmtohen nga ky proces. Jemi në kohen e duhur për të pasur një reflektim më të thellë”, tha Meta në akademinë në solemne “Faleminderit Shqipëri” në përkujtim të 21-vjetorit mikpritjes së Shqipërisë gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999.
Ndërsa presidenti Thaçi gjatë fjalës së tij u shpreh se Kosova dhe Shqipëria në një të ardhme të afërt do të kenë një të ardhme të përbashkët pa kufi dhe natyrisht në ombrellën euroatlantike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.