Irena Beqiraj

Gjykimi që kërkon një gjitholog për ministër Financash!


Gjykatësi i çështjes së sterilizimit është shprehur në vetë të parë se  ka kërkuar që hetimi të shtrihet edhe te veprimet e ish-ministrit të Financave të asaj kohe, Shkëlqim Canit. Arsyet pse është kërkuar kjo, siç informojnë portalet, por edhe nga pyetjet që më bëjnë shpesh miqtë e mi gazetarë, të cilët duket se janë në dijeni të plotë të arsyetimit të gjykatësit, janë surprizuese. Por sërish kam një shpresë që “gabohen” gazetarët e portalet, edhe në këtë dreq vend shpresa duhet patjetër të vdesë e fundit.

Për shembull: është ngritur pretendimi se studimi i fizibilitetit së bashku me (projeksionet) e pasqyrave financiare nuk kanë qenë të firmosura dhe si të tilla duheshin konsideruar formalisht jo në rregulla, dhe të pavlefshme nga ministri i Financave. Sipas arsyetimit të gjykatësit kjo pavlefshmëri rrjedh nga fakti që studimi i fizibilitetit është konsideruar i barasvlefshëm ligjërisht me  dokumentin financiar.

Studimi i fizibilitetit në asnjë literaturë as ligjore, as financiare e as kontabël nuk klasifikohet si dokument financiar.

Sipas nenit 4 pika 26 i ligjit 10296 për “Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” që është marrë në referim parashikohet që:

“Dokument financiar” është çdo informacion origjinal, plotësues, si dhe të dhënat kontabël të regjistruara në çdo lloj forme, të krijuara, të marra apo të mbajtura nga njësitë publike”.

Dhe këtu është fjala për faturat e shitjeve dhe blerjeve, fletëhyrje, fletëdalje, gjendje inventari apo asetesh, mandat arkëtime apo pagese, lëvizjet e bankës, urdhërpagesat, të cilat në tërësinë e tyre përshkruajnë një transaksion ekonomik. Po ashtu dokument financiar konsiderohen edhe gjithë elementët e raportimit financiar (pasqyrat financiare) të cilët që janë produkt i procesit të kontabilizimit të dokumenteve financiarë.

Po sipas të njëjtit nen përcaktohet që “dokumenti financiar duhet të përshkruajë me vërtetësi veprimin ose ngjarjen, ndryshe transaksionin që ka për objekt, të përmbajë të dhëna për shkakun e veprimit, datën dhe vendin e kryerjes, objektin, treguesit sasiorë e ato të vlerës, personat që kanë urdhëruar dhe ekzekutuar veprimin, e të tjera të dhëna të nevojshme që i japin dokumentit forcën e një prove ligjore ose administrative”.

Ndërsa studimi i fiziblitetit nuk ka për objekt një transaksion ngjarje apo veprim ekonomik, por është: një analizë dhe vlerësim i një projekti për të përcaktuar nëse ai (1) është teknikisht i realizueshmëm, (2) është financiarisht i realizueshëm duke parashikuar një kosto apo vlerë (3) është ligjërisht i realizueshëm, (4) edhe është i qëndrueshëm nga ana mjedisore. Si i tillë assesi nuk mund të klasifikohet si dokument financiar, edhe nuk mund të trajtohet si i tillë.

Deri tani nuk kam hasur në asnjë parashikim ligjor që përcakton se ministri i Financave ka të drejtën edhe aq më shumë detyrimin të vendosë në dyshim vlefshmërinë apo vërtetësinë e dokumenteve, apo studimeve të prodhuara nga ministritë e linjës, të cilat përcillen  tek ai të bashkëngjitura një shkrese përcjellëse me datë, numër protokolli, vulë, edhe e firmosur nga drejtuesi i autoritetit kontraktor.  

Një tjetër konkluzion interesant i arritur qenkërka që “treguesit financiar të çdo projekti koncensionar janë kompetencë funksionale e Ministrisë së Financave si garantuesja e sistemit buxhetor”. Në bazë të kësaj logjike arsyetohet që ministri i Financave “mund të administronte informacion zyrtar lidhur me parashikimet për prokurimet publike për mallrat dhe shërbimet objekt koncensioni, për vitet në vijim si dhe  mund të merrte informacion zyrtar lidhur me prokurimet e realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe spitalet, pasi ky informacion do të ndihmonte ministrin e Financave për të konkluduar mbi fondin limit edhe mbi faktin nëse kjo procedurë ishte më e favorshme ekonomikisht se prokurimi publik”.

Kur e dëgjova këtë e përfytyrova ministrin e Financave para një tabele më tri kolona duke shënuar çmimet, sasitë edhe vlerat e hekurit, çimentos, naftës, betonit, zhavorrit, gozhdëve për të ripërcaktuar edhe rikonfirmuar kostot e rrugëve. Pasi të ishte bërë ekspert i kostove të rrugëve në një tabelë tjetër të fillonte të analizonte çmimet, sasitë edhe vlerat e shiringave, detergjentëve, gërshërëve e mjeteve spitalore, dezinfektuesve edhe çarçafëve të spitaleve. Pasi të ishte specializuar në analizën e kostos së sterilizimit, check up, dializës dhe laboratorëve, të fillonte nga analizat e kostove turbinave, makinerive dhe pajisjeve të hidrocentraleve, termocentraleve dhe djegësave. Thjesht imagjinova një version të CHAT GPT!

J0! Ministria e Financave e aq më pak ministri i Financave nuk mundet, nuk duhet, dhe nuk ka detyrim të ribëj në mënyrë të pavarur kostimin e çdo shërbimi që jepet me PPP në shtetin shqiptar, përveç rasteve kur Ministria e Financave është autoritet kontraktor. Nëse kjo do të ndodhte do të ishte një tejkalim i kompetencave dhe shkelje e ndarjes së fushave të përgjegjësisë për çdo ministri. Kostimi i një shërbimi të ofruar me koncension ose jo, është detyrë edhe përgjegjësi e autoritetit kontraktor. Ministri i Financave nuk ka për detyrë dhe aq më shumë nuk është parashikuar të ketë brenda Ministrisë së Financave të gjitha kapacitetet profesionale që të konfirmojë si të vlefshme ose jo analizat e bëra edhe të pranuara nga ministrat e Linjës. Thënë këtë llogaritja e treguesve financiarë të çdo projekti janë kompetencë funksionale e Ministrisë që e ndërmerr atë.

Garantimin edhe respektimin e sistemit buxhetor nga të gjithë njësitë publike, ministri edhe Ministria e Financave nuk e siguron duke ribërë detyrat e tyre e as duke “hetuar” si ato i kanë bërë detyrat e tyre, por duke hartuar ligjet, rregullat, udhëzimet, dhe duke u siguruar që çdo njësi publike ka brenda saj të gjitha mekanizmat e kontrollit edhe manaxhimit financiar. Zbatimi i kuadrit rregullator edhe funksionimi mekanizmave të kontrollit garantohet me anë të kontrollit të brendshëm të njësisë dhe KLSH.

Ndërkohë te ligji i partneritetit publik privat, apo akteve nënligjore të zbatimit të tij, por edhe Ligji organik i Buxhetit që kanë qenë në fuqi deri në 12 janar 2015 kur është miratuar kjo procedurë koncensioni, thuhet e zeza mbi të bardhë që vetëm projektet që kanë nevojë për mbështetje financiare, kërkojnë një miratim paraprak nga Ministria e Financave, miratim i cili lidhet vetëm me përballueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe fizibilitetin fiskal, pra si ndikon ai te shpenzimet buxhetore, deficiti buxhetor, qëndrueshmëria e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente. Sepse nuk ishte kompetencë  e Ministrisë së Financave që të përcaktonte treguesit financiar të një projekti koncensionar, por vetëm ta vlerësonte atë nga pikëpamja e implikimeve fiskale eventuale, ligjvënësi kishte përjashtuar nga miratimi paraprak i Ministrisë së Financave të projekteve koncensionare pa implikime në buxhetin qëndror ose buxhetet lokale.

Dhe së fundi po sipas VKM 575 ministri i Financave e miraton ose jo projektin duke u mbështetur vetëm në një këndvështim strikt buxhetor: “nëse shuma e parashikuar dhe mënyra e pagesës së mbështetjes financiare janë të përballueshme dhe të qëndrueshme”.

Do isha e lumtur nëse këto rreshta do të qartësonin në opinionin publik pozicionin e ministrit Cani të cilin e vlerësoj shumë, për profesionalitetin, integritetin, edhe prudencën e detyrës, por sot më shumë sesa Canin dëshiroj që zëri im modest publik të mbështesë sadopak atë armatë profesionistësh të Ministrisë së Financave, të cilët po vuajnë keqarsyetimin apo keqpërdorimin e fakteve. Këtyre njerëzve pikërisht sepse nuk ishin CHATGPT (ose gjithologë) u detyrohem një pjesë të mirë të njohurive që ndaj sot në publik.


Copyright © Gazeta “Si”