Kosova

Gjykata Speciale e Kosovës akuzohet se po shkel të drejtat e njeriut

Në një vendim të dyshimtë të saj, Gjykata Speciale e Kosovës akuzohet se ka dalë mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut duke shpërfillur prezumimin e pafajësisë për të akuzuarit që po gjykon në lidhje me luftën e Kosovës.

Rasti i bujshëm lidhet me një deklaratë të Jack Smith, të publikuar në faqen zyrtare të gjykatës speciale më datë 16 tetor në lidhje me dy të pandehurit Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, kryetari dhe zëvendëskryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së.

Ata akuzohen se kanë publikuar dokumente sekrete gjatë konferencave për shtyp në Prishtinë në vitin 2020, më konkretisht nga data 7 deri në datën 25 shtator dhe për publikimin e emrave, adresave dhe dëshmive të dëshimtarëve në çështjet në gjykim. Ata akuzohen se kanë quajtur “tradhtarë” e “spiunë” shqiptarët e Kosovës që bashkëpunojnë me gjykatën speciale.

Ndaj tyre nuk ka një vendim të gjykatës dhe çështja se kjo gjykatë speciale ka shkelur të drejtën themelore të njeriut, atë të prezumimit të pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata u ngrit nga avokati i tyre, Toby Cadman.

Cadman i kërkoi gjykatës që të heqë nga faqja e vet zyrtare një deklaratë të prokurorit Jack Smith, ku ky i fundit i bën fajtorë si Gucatin, ashtu edhe Haradinajn.

Në deklaratën e 16 tetorit, Smith thotë se Gucati dhe Haradinaj janë “pjesë e një grupi të vogël personash, por të fuqishëm në Kosovë që nuk duan që gjykata speciale të ekzistojë”.

“Janë të gatshëm që të bëjnë gjithçka që të dëmtojnë këtë gjykatë me dëshmi të rreme se asnjë ushtar i UÇK-së nuk ka kryer krime gjatë luftës”, thuhet në deklaratë.

Avokati Toby Cadman dorëzoi në gjykatë ditën e diel një kërkesë për fshirjen e kësaj deklarate, që tha se shkel parimin e prezumimit të pafajësisë, i parashikuar në Konventën e të Drejtave të Njeriut, pa përmendur këtu ligjet e Kosovës dhe ligje të tjera ndërkombëtare.

Në kërkesë thuhet gjithashtu se deklarata ngre një narrativë të rreme sikur dëshmitarët dhe viktimat e prezumuara janë kërcënuar nga Gucati e Haradinaj, në një kohë që kjo ende nuk është provuar.

Kërkesa për ta fshirë këtë deklaratë u rrëzua nga gjykata ditën e hënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë