Nga Gazeta ‘Si’-Gjykata Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar disa persona në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Ndër emrat e arrestuar janë Bashkim Smakaj, ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj, ish-Komandanti i UÇK-së dhe ish-Kryetari i Malishevës.
Lajmet janë konfirmuar nga familjarët e tyre. Në një prononcim, Blend Kilaj, djali i Isni Kilajt ka treguar se arrestimi i babait të tij ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit.
Ai ka thënë se nuk i di arsyetimet e arrestimit të babait të tij. Kilaj ishte arrestuar nga Specialja edhe në nëntor të vitit të kaluar.
Dhomat e Specializuara të Kosovës e kishin liruar në kushte të rrepta sigurie më 3 maj të këtij viti. Lirimi i tij ishte bërë i mundur pasi kushte dhënë garancinë financiare prej 30 mijë eurosh.
Ndërkohë, edhe Fahri Fazliu ka bërë me dije se Gjykata Speciale sot ka arrestuar babanë e tij Fadil Fazliu, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu.
Ai ka treguar se arrestimi është bërë sot në orën 8 të mëngjesit para banesës së tij. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se prindi i tij pritet të dërgohet në Hagë.
“Të nderuar miq, shokë, dashamirë dhe kolegë! Sot, paradite rreth orës 8:00 të mëngjesit para banesës së tij kanë arrestuar babain tim, Fadil Fazliun, luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Me urdhërë të Dhomave të Specializuara të Hagës është arrestuar dhe pritet të dërgohet për në Hagë. Ballëhapur, kokëlart dhe gjithmonë krenar me të kaluarën tonë të lavdishme!🇦🇱 Krenar me ty Bablok”, ka shkruar Fazliu.
Ndërkohë, për rastin ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.
Ai ka thënë se Gjykata Speciale po e vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtareve të lirisë.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.”- ka shkruar ai në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.