Nga Gazeta 'Si'- Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pasi Gjykata Administrative vendosi të shfuqizojë vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve demokrat me nga 60 dhe 40 ditë jashtë Kuvendit.
Bardhi e ka quajtur një dënim pa ligj të opozitës, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Administrative “provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”.
“Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian”, theksoi ai.
Bardhi tha se ky është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar sipas tij vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale.
"Ata që PA LIGJ penguan me Forca Sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës", tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.