Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara ndaloi përkohësisht vendimin e Qeverisë amerikane për t’iu hequr statusin e mbrojtjes së përkohshme afganëve që gjenden në SHBA.
Kjo u jep së paku edhe një javë kohë mijëra afganëve që rrezikojnë të dëbohen dhe të kthehen në Afganistan, vendin që kontrollohet nga talibanët.
Gjykata e Apelit për Qarkun e Katërt në Riçmond, Virxhinia, vendosi një pezullim administrativ mbi vendimin për t’i dhënë fund statusit të mbrojtjes së përkohshme për afganët, duke e shtyrë atë deri më 21 korrik.
Kjo masë erdhi pas një kërkese nga organizata CASA, e cila mbron të drejtat e emigrantëve.
CASA paraqiti një kërkesë urgjente më 14 korrik, pikërisht në ditën kur pritej të përfundonte statusi i mbrojtjes për afganët.
Gjykata nuk dha asnjë arsye për vendimin e saj, ndërsa administrata amerikane ka afat deri më 16 korrik, për të dhënë përgjigje.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi më 12 maj se statusi i mbrojtjes së përkohshme për afganët do të skadojë më 14 korrik.
Ky vendim do t’i prekte rreth 9.000 deri në 12.000 afganë që aktualisht jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të këtij programi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




