Presidenti Ilir Meta, ka deklaruar se ka qenë kundër procesit të Vettingut për Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se në një krizë politike si kjo në Shqipëri, ky institucion do të ishte i rëndësishëm me vendimet që do të merrte në përputhje me interesin kombëtar apo publik.
“Më duhet të theksoj, për hir të së vërtetës dhe problemit që është krijuar se unë kam qenë kundër vetingut për Gjykatën Kushtetuese, kur ka nisur procesi i reformës në drejtësi. Kam patur shqetësimin që mund të kemi një situatë, ku të kemi një anëtar që ka mbaruar mandati, po qoftë edhe 2-3 të mungojnë nuk është pak për një trupë kaq të kufizuar dhe me kaq përgjegjësi siç është Gjykata Kushtetuese. Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese ka qenë një institucion i respektuar dhe i pranuar nga të dyja palët. Në tërësi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime në përputhje me interesin kombëtar apo interesin publik” – u shpreh Meta për “Ora News”.
Kreu i shtetit shpjegoi se roli i tij, si në kohën kur drejtonte Kuvendin, ashtu edhe tani si President, ka qenë ai për të shmangur situatat ekstra-ligjore për krijimin e KED-it dhe në këtë rast ai i del në mbrojtje opozitës.
“Unë në pozitën time si kryetar i Kuvendit jam kujdesur që gjithçka të shkonte perfekt me shortin e KED në dhjetor 2016, por edhe si President në përpjekjen time për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe për të shmangur çdo situatë ekstraligjore për krijimin e KED, kam bërë të gjitha përpjekjet e mia dhe për fat të keq kemi humbur më shumë se dy vjet dhe për këtë unë nuk e fajësoj dot opozitën. Në rast se nëse do të kishim sot një Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe të besueshme, unë do të mbaja fjalimet më të zjarrta kundër sabotimit që po i bën opozita në Shqipëri integrimit evropian. Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi për faktin që Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk dua të them kush janë”.
Presidenti shtoi se ka bërë përpjekjet që gjithçka të bëhet në respekt të Kushtetutës, që sipas tij është votuar me konsensus për të parandaluar një situatë të tillë.
Në lidhje me krizën politike, Meta nënvizoi se bashkëjetesa demokratike është tronditur në vend dhe bëri thirrje që situata të shikohet në mënyrën e duhur.
“Nuk e di se çfarë presim më shumë në rast se bëjmë sikur nuk e shohim që sistemi i rregullave të lojës demokratike ku në radhë të parë, kemi edhe garancitë kushtetuese të vetë kësaj bashkëjetese demokratike, që është tronditur rëndë, dhe në rast se vazhdojmë të mos e shohim përpara humnerën drejt së cilës do të ecim, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër veçse gënjejmë veten dhe përsërisim gabime tepër të rënda që i kushtojnë vendit më shumë se kujtdo tjetër”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




