Gjykata Kushtetuese po shqyrton kërkesën e maxhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Seanca është parashikuar që të nisë në orën 10:00.
Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta.
Maxhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.
Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga një komision hetimor me pjesëmarrjen edhe të opozitës, të ngritur enkas për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.
Sipas raportit, presidenti Meta ka shkelur më shumë se 10 nene të Kushtetutës gjë që, sipas maxhorancës socialiste, ka sjellë mosgarantimin e unitetit kombëtar duke mbajtur anën e opozitës para zgjedhjeve të 25 prillit dhe nxitur destabilitet dhe dhunë.
Nëse Gjykata Kushtetuese e gjykon të ligjshëm vendimin e Parlamentit, Presidenti Meta duhet ta lërë detyrën pa e përfunduar mandatin e tij pesëvjeçar, që mbaron në korrik 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




