Politike

Gjykata Kushtetuese rrëzon Berishën: Nuk ishte e nevojshme leja e Kuvendit për masat ndaj tij

Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin lidhur me ankimin e depozituar nga kryedemokrati Sali Berisha, përsa i takon dy masave të SPAK ndaj tij, asaj “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, për të cilat, sipas Berishës, Prokuroria Speciale anashkaloi autorizimin nga Kuvendi.

Sipas interpretimit të 'Kushtetueses', SPAK nuk kishte nevojë për autorizimin e Kuvendit, për masat e vendosura ndaj ish-kryeministrit.

Por nga ana tjetër Kushtetuesja ka pranuar pjesërisht kërkesën e Berishës për pezullimin e vendimit të SPAK për ndalim të daljes jashtë shtetit të kryedemokratit, përmes konfiskimit të pasaportës.

Megjithatë, pavarësisht heqjes së ndalimit jashtë shtetit, ish-kryeministri nuk mund të dalë nga banesa për shkak të masës "arrest me burg".

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese e konsideron si proporcionale masën “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj ish-kreut të ekzekutivit.

“Në lidhje me masën tjetër, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqësore, objekt të shqyrtimit kushtetues, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ ndaj kërkuesit Sali Berisha, për shkak të cënimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kësaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit ‘detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë