Gazeta Si – Pas padisë së bërë për të rrëzuar paktin PD-PS për listat e mbyllura dhe ndryshime të tjera, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e partive të vogla për Kodin Zgjedhor.
Partitë e vogla kishin kërkuar rrëzimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke i cilësuar si në papajtueshmëri me Kushtetutën.
Në argumentin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se “vlerësoi se pretendimet e kërkuesve nuk janë të bazuara sepse lidhen me rezultat e votimit, që i korrespondon shpërndarjes së mandateve, ndërsa sipas nenit 64 të Kushtetutës, kjo shpërndarje dhe masa e shtrirjes së votimit parapëlqyes i është deleguar ligjvënësit, ndërkohë që garancia kushtetuese për ushtrimin e së drejtës së votës parapëlqyese në nenin 64, pika 3 të Kushtetutës lidhet me procesin e votimit”.
Shtatë partitë e vogla u bënë bashkë kundër paktit PD-PS për mbylljen e listave dhe këtë të martë, Gjykata Kushtetuese pati një seancë të hapur, ku u dëgjuan pretendimet e 7 partive dhe përfaqësuesit ligjor të Lulzim Bashës, si dhe përfaqësuesit e Kuvendit, Mimoza Arbri dhe Viktor Gumi, të cilët kundërshtuan pezullimin.
Ndërsa brenda 30 ditëve Gjykata Kushtetuese la që të shprehej për shfuqizimin ose jo të këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ditën e sotme kjo kërkesë është rrëzuar përfundimisht.
Më herët, Gjykata Kushtetuese rrëzoi (4 dhjetor) kërkesën e 7 partive të vogla, kreut të demokratëve euro-atlantikë, Lulzim Basha dhe 3 mbështetësve të tij, për pezullim e e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të miratuara në korrik nga PD e PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.