Politike

Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretin e Presidentit për zgjedhjet e parakohshme të caktuara më 9 Nëntor, pasi Erion Veliaj ankimoi vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiak i Tiranës.

Më 2 Tetor, avokatët e Veliajt depozituan në Kushtetuese një ankim ndaj dekretit të Presidentit të Republikës, që shpalli vakancën në Bashkinë e Tiranës dhe vendosi datën e zgjedhjeve të pjesshme.

Me vendimin e Kushtetueses, do të thotë që zgjedhjet e pjesshme nuk do të zhvillohen.

Kështu ka sqaruar kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i cili tha se nëse Gjykata Kushtetuese vendos për pezullimin e zgjedhjeve, ato nuk do të zhvillohen.

“Nëse i shpall të pavlefshme do të ribëhen”, tha ai.

Në ankimim shpjegohet edhe moskompetenca e Begajt për dekretimin.

“Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese.

Në mungesë të këtyre kushteve, kompetenca e Presidentit është non nata – ende e palindur juridikisht”, thuhet ms të tjerash.

Kështu, në datë 31 tetor 2025, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca publike për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt. 

PS ka zyrtarizuar tashmë Ogerta Manastirliun si kandidate për Bashkinë e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë