Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese e Tajlandës pezulloi të martën kryeministren Paetongtarn Shinawatra, e cila ka qenë në detyrë prej një viti, për shkak të një telefonate që ajo e konsideroi të papërshtatshme në javët e fundit me ish-kryeministrin kamboxhian, Hun Sen.
Në telefonatë, Paetongtarn diskutoi një krizë territoriale të vazhdueshme me Kamboxhian në një mënyrë shumë të respektueshme ndaj Hun Sen, prandaj partitë e opozitës po kërkojnë dorëheqjen e saj. Telefonata ishte private, por u zbulua nga Hun Sen, me sa duket për ta përdorur atë në avantazhin e tij.
Paetongtarn ka 15 ditë kohë për të dëshmuar në mbrojtje të saj, ndërsa gjykata do të vazhdojë të hetojë çështjen për të vendosur nëse do ta shkarkojë përgjithmonë nga detyra (në Tajlandë, njerëzit kryesisht thirren me emrin e tyre të parë, jo me mbiemrin dhe kjo praktikë është miratuar edhe nga media tajlandeze dhe ndërkombëtare).
Gjatë kësaj kohe, zëvendësja e Paetongtarn, Suriya Juangroongruangkit, do të drejtojë vendin si kryeministre.
Paetongtarn do të mbetet në qeveri si ministre e Kulturës, një post që ajo mori dje pas një riorganizimi të kabinetit.
Telefonata po shkakton një krizë serioze politike në Tajlandë. Gjykata Kushtetuese njoftoi se kishte mbështetur një ankesë të paraqitur nga 36 senatorë, të cilët akuzuan kryeministren për shkelje etike.
Në ditët e fundit, Bhumjaithai, partia e dytë më e madhe që mbështet qeverinë e qendrës së djathtë të Paetongtarn, është larguar nga koalicioni dhe një votë mosbesimi ka të ngjarë të ndodhë së shpejti.
Mijëra njerëz morën pjesë në një demonstratë në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, të shtunën për të kërkuar dorëheqjen e kryeministres.
Kriza lidhet me një mosmarrëveshje territoriale të gjatë midis Tajlandës dhe Kamboxhias: të dy vendet ndajnë një kufi prej rreth 820 kilometrash, i cili është i diskutueshëm në disa zona.
Në javët e fundit, ka pasur beteja me armë në zonën e quajtur “Trekëndëshi i Smeraldit” nga tajlandezët, një copë e vogël toke ku takohen Tajlanda, Kamboxhia dhe Laosi. Është një nga disa pika kufitare që si Tajlanda, ashtu edhe Kamboxhia pretendojnë si territor të tyre.
Më 28 maj, ushtarët kamboxhianë dhe tajlandezë filluan të qëllonin me njëri-tjetrin nga postet e tyre në kufi, dhe një ushtar kamboxhian u vra.
Disa ditë më vonë, u publikua një audio e një bisede rreth krizës midis Paetongtarn Shinawatra dhe Hun Sen, i cili kishte sunduar Kamboxhian për 40 vjet para se t’ia dorëzonte pozicionin djalit të tij Hun Manet në vitin 2023.
Sot, Hun Sen është president i Senatit të Kamboxhias dhe është ende mjaft me ndikim në politikën e vendit.
Në telefonatën 17-minutëshe, Paetongtarn (38 vjeçe) është shumë e sjellshme ndaj Hunit (72 vjeç), duke e quajtur atë “xhaxha” dhe duke premtuar se do të “kujdeset” për nevojat e tij.
Në një moment tjetër, ajo dukej se po përçmonte veprimet e një komandanti të ushtrisë tajlandeze i cili po merrej me çështjet kufitare, duke thënë se ai “thjesht donte të dukej i qetë dhe thoshte gjëra që nuk janë të dobishme”.
Familja e Paetongtarn dhe familja Hun kanë qenë të afërt për dekada, aq shumë sa Hun Sen dhe babai i Paetongtarn, ish-kryeministri Thaksin Shinawatra, e konsiderojnë njëri-tjetrin vëllezër.
Familja Shinawatra, është dinastia më e madhe politike në Tajlandë: Babai i Paetongtarn është miliarderi dhe ish-kryeministri Thaksin Shinaëatra, politikani më i rëndësishëm i Tajlandës në njëzet vitet e fundit, dhe ai ende besohet se ka një ndikim të fortë në vendimet e vajzës së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




