Kosova

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pranon kërkesën e Listës Serbe, i lë 12 ditë afat Kuvendit

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar sot se Seanca Konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar ligjërisht, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Në vendimin e marrë lidhur me rastin KO265/25, pas kërkesës së dorëzuar nga deputeti Igor Simiç dhe nëntë deputetë të tjerë, Gjykata ka urdhëruar që Seanca Konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, Gjykata ka kërkuar që të gjithë deputetët të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit nga Gjykata, përveç masës së përkohshme që mbetet në fuqi deri në atë moment.

Gjykata e ka marrë këtë vendim pas ankesës së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.

Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjë deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavaresisht disa raundeve të votimit.

Lista Serbe, beson se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka vepruar në mënyrë të drejtë kur e ka shpallur Kuvendin të konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.

Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime drejt formimit të qeverisë së re deri më 30 shtator, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë