Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata Themelore në Shkup vendosi që paraburgimi prej 30 ditësh për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi të mbetet ende në fuqi, dhe e njëjta të zbatohet nga momenti kur ai të jetë në dispozicion për organet e ndjekjes penale.
Ky vendim pason ankimimin e bërë javën e kaluar nga avokati i Grubit kundër vendimit të kësaj gjykate, e cila, me propozim të Prokurorisë Publike, më 17 dhjetor kishte urdhëruar masën e paraburgimit.
“Këshilli Penal, duke vepruar sipas ankesës së parashtruar nga mbrojtja e A.G., i padisponueshëm për organet e ndjekjes penale, kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake, mori një vendim me të cilin e hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes dhe konfirmoi vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake”, njoftoi Gjykata Penale e Shkupit më 24 dhjetor.
Grubi, së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, akuzohen për “përvetësim të pasurisë së paligjshme” nga Lotaria Shtetërore, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 8.2 milionë euro. Më 18 dhjetor, ndaj tyre u shpall edhe një fletarrestim ndërkombëtar.
Deri më tani, asnjëri nga ta nuk është i disponueshëm për organet e rendit.
Ish-zëvendëskryeministri Grubi, i cili më 9 dhjetor u fut në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për korrupsion, ka mohuar të ketë ikur nga vendi. Ai ka thënë se ndodhet jashtë vendit për një ‘vizitë private’, pa dhënë më shumë detaje.
Ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Panço Toshkovski, gjatë një interviste për televizionin maqedonas Telma, më 23 dhjetor tha se asnjë shtet fqinj nuk ka dorëzuar konfirmime për qëndrimin e mundshëm të Artan Grubit në territoret e tyre.
Ai theksoi se nuk dëshiron të spekulojë për vendndodhjen aktuale, por shtoi se do të donte t’i besonte deklaratës së tij se do të kthehet në vend.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi më herët se pak orë para fillimit të aksionit policor më 16 dhjetor, ish-zëvendëskryeministri, i shoqëruar nga një afarist vendas, (Arsim Paparinku), i cili si konsull nderi udhëtonte me makinë me targa diplomatike, kishte kaluar përmes pikës kufitare të Bllacës drejt Kosovës.
Radio Evropa e Lirë më 18 dhjetor iu drejtua Policisë së Kosovës për të konfirmuar nëse ka informacione se Grubi ndodhet në Kosovë, si dhe Ministrisë së Drejtësisë për të pyetur nëse do të bashkëpunojë në ekstradimin e tij nëse ai gjendet dhe arrestohet në Kosovë, por nuk mori përgjigje.
Megjithatë, më 21 dhjetor, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar VLEN, mohoi pretendimet e Mickoskit, duke pohuar se Artan Grubi nuk është në Kosovë, por në Shqipëri. Mexhiti nuk dha më shumë detaje, por shtoi se është detyrë e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka bashkëpunim me Interpol-in, për ta gjetur dhe rikthyer në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.