Nga Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë me 3 muaj masën e “pezullimit nga detyra” për mjekun Edvin Prifti, i akuzuar për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.
Prifti është momentalisht i pezulluar nga detyra e tij si shefi i kardiokirurgjisë në QSUT, ndërkohë që akuzohet nga SPAK për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.
Sipas SPAK, ka prova të mjaftueshme që krijojnë dyshime se Prifti kishte ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.
Mjekut Edvin Prifti iu gjetën në banesë dhe në zyrë 250 mijë euro, si dhe 160 milionë lekë dhe gjykata e la në arrest me burg.
Emri i Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, ku u arrestua dhe u la në burg gjykatësja Enkeleida Hoxha.
Ai mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u gjet në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, për të cilat avokati, Henrik Ligori ka këmbëngulur se shuma prej eurosh që është gjetur në banesën e mjekut ka qenë shumë e fituar nga çmimet ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.