Drejtësia

Gjykata e Posaçme i refuzon lirinë ish-partneres së Safet Bajrit

Gazeta Si – Eria Ago, ish-e dashura e Safet Bajrit do qëndrojë në qeli, pasi GJKKO nuk pranoi kërkesën e saj për zëvëndësim të masës së sigurisë.

Ago u arrestua në muajin mars të këtij viti, nën dyshimin e SPAK se ajo drejtoi një makinë që u përdor për vrasjen e Fatbardh Licit të ndodhur në gusht të vitit 2018 në Kiras të Shkodrës.

Pavarësisht se 31-vjeçarja i ka mohuar akuzat e prokurorisë për përfshirjen e saj në këtë ngjarje, pretendimet e saj nuk janë marrë parasysh nga gjykata.

Për ekzekutimin e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit.

Safet Bajri u arrestua u arrestua në shkurt të këtij viti, i cili fillimisht u paraqit në Policinë e Shkodrës dhe më pas forcat “RENEA” e shoqëruan në Tiranë.

Ai po hetohet edhe për mundësinë e përfshirjes në masakrën e Dobraçit të ndodhur në tetor të vitit të kaluar, ku mbetën të vrarë 4 persona, mes të cilëve edhe një çift bashkëshortësh, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë