Drejtësia

Gjykata e Lartë vendos sot mbi rekurset e Berishës dhe Malltezit për heqje të ‘arrestit shtëpiak’

Gazeta Si – Gjykata e Lartë në Dhomë Këshillimi, me gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni e Sokol Binaj, do të vendosë këtë të martë mbi dy rekurse të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për heqjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe për zëvendësimin e kësaj mase.

Ende nuk është caktuar një orar se kur do ta marrë vendimin trupa prej tre anëtarësh, për të cilët më herët ishte kërkuar përjashtimi nga gjykimi i çështjes nga avokatët e Berishës.

Mbrojtja e këtij të fundit pretendon në kërkesën e saj se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret që Berisha të hetohet me masë sigurie.

Shqyrtimi do të bëhet në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve. Javën e kaluar seancat u shtynë për shkak të kërkesës së Berishës për përjashtimin e tre anëtarëve të Kolegjit Penal, Ilir Panda, Sandër Simoni e Sokol Binaj, duke pretenduar njëanshmëri.

Kërkesat u shqyrtuan më pas nga dy gjyqtarë të lartë, që vendosën mospranimin, duke e lënë të pandryshuar trupin gjykues.

Prej 30 dhjetorit, Berisha ndodhet nën arrest shtëpie, nën hetim për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e Kompleksit Partizani.

SPAK thotë se Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore, kompleksi sportiv Partizani. Berisha i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë