Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga Suel Çela. “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim Marjus Sula alias Suel Çela, kundër vendimit nr. 64, datë 26.04.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.
Çela është në arrati dhe ka bërë rekurs nëpërmjet avokatëve të tij. A ka ankimuar masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë nga Gjykata e Posaçme pas deklarimeve të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, ku dyshohet si porositës i dy ngjarjeve të rënda kriminale.
Sipas Dumanit, Suel Çela kishte porositur vrasjen e Elton Kilës. Për këtë ishte ngarkuar Dumani që ta kryente. Por ai u plagos vetë pas një atentati ndaj tij dhe nga ky moment, Dumani u bë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Çela, po ashtu, kishte porositur sipas Dumanit edhe atentatin ndaj Lulzim Mashës, pronar i një shkolle private në Tiranë.
Suel Çela është akuzuar si njëri nga protagonistët e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.
I akuzuar si fillim për vrasje të oficerëve të policisë të ngelur në tentativë, Suel Çela u konsiderua i pafajshëm edhe për veprën e kundërshtimit të forcave. Gjykata tha gjatë vendimit se prokuroria e krimeve të rënda nuk arriti të vërtetojë me prova përfshirjen e Suel Çelës në ngjarjen e tregut agroushqimor.
Prova e gjetur në automjetin “Audi” që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë nuk tregon nëse në momentin e ngjarjes ka qenë apo jo i pranishëm Çela.
Bashkë me Endri Çopjen, ai gjithashtu akuzohet për tentativë rrëmbimi të një personi dhe plagosjen e tij, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2013.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




