Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Prokurorisë për 10 anëtarët e të ashtuquajturës “Organizata Hakmarrja për Drejtësi”.
Togat e zeza u shprehën përmes një vendimi në Dhomë Këshillimi se, “nuk ka ekzistuar kurrë si e tillë dhe akuzat ndaj saj janë të fabrikuara politikisht nga persona të interesuar”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është përfundimtar, duke lënë në fuqi dhe konfirmuar vendimin e mëparshëm të vitit 2017 të Apelit me të njëjtin argument.
Ish-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda kishte dhënë vendimin në të njëjtin vit duke shfajësuar të gjithë personat e përmendur në këtë dosje.
Togat e zeza i shpallën të pafajshëm 10 anëtarët që akuzoheshin për 18 ngjarje të rënda kriminale, vrasje, pengmarrje, grabitje me armë e akte terroriste, të ndodhura brenda një dekade, nga viti 93 deri në vitin 2003.
Sipas vendimit të Apelit të 2017-s, provat e sjella nga prokuroria nuk mjaftonin për t’i dënuar.
Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti.
Ai bashkë mes 10 personave kanë marrë dënime nga 5 vjet burg deri në burgim të përjetshëm për disa krime të rënda.
Kjo është hera e tretë që Gjykata e Lartë shprehet për këtë çështje. Emri i “Hakmarrjes për Drejtësi” doli në skenë në vitin 1996 dhe më pas u lakua edhe nga politika.
Të akuzuarve si pjesë e kësaj organizate iu faturuan 17 ngjarje kriminale të ndodhura në vitet 1993-1996. Disa prej të akuzuarve fituan azil politik në Belgjikë pas vitit 1997. Ndër krimet për të cilat ata akuzoheshin, ishin vrasja e ish-drejtorit të burgjeve, Bujar Kaloshi, bomba që vrau 4 vetë në supermarketin “VEFA” në qendër të Tiranës, si edhe rrëmbimi i një fëmije.
Në vitin 2008 dy prej të pandehurve u dënuan me burg përjetë nga gjykata, ndërsa për të tjerët u dhanë 154 vite burg në total. Për 20 vjet dosja gjyqësore u end nëpër të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese, derisa në shkurt 2017 Apeli i Krimeve të Rënda i shpalli të pafajshëm të gjithë të pandehurit.
“Organizata kriminale “Hakmarrja për drejtësi” nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe… çështja penale e ngritur ndaj 10 personave të akuzuar si anëtarë të saj është tërësisht e falsifikuar dhe e montuar nga persona të papërgjegjshëm të strukturave të ndryshme shtetërore përmes provave të stisura dhe të pavërteta…”, ishte ndër të tjera arsyetimi i Apelit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




