Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e çiftit Malltezi për heqjen e sekuestros së pasurisë

Gazeta Si – Gjykata e Lartë, ka rrëzuar këtë të martë, rekursin e Jamarbër dhe Argita Malltezit sa i përket sekuestrimit të pasurive në kuadër të dosjes “Partizani”, ku i pandehur nga SPAK është edhe kreu i PD, Sali Berisha.

Nuk është hera e parë që Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e çiftit Malltezi për 25 pasuritë e sekuestruara prej vitit 2023.

Asokohe, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi sekuestron preventive për 25 pasuri në emër të çiftit të bashkëshortëve, përfshirë apartamente, vila dhe tri kompani, ku Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, zotëron aksione të rëndësishme.

Hetimet e SPAK po zhvillohen në kuadër të hetimeve për procedurën e ndjekur për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Mes pronave të sekuestruara janë disa apartamente, disa llogari bankare, një vilë në Gjirin e Lalëzit dhe kuotat e disa kompanive.

Malltezi u arrestua në tetor të 2023, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe pas një muaj qëndrimi në qeli u lirua nga gjyqtarja e Apelit, Iliriana Olldashi që caktoi masën e “arrestit shtëpiak”.

Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Malltezin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë