Gazeta Si – Gjykata e Lartë rikthen për gjykim në Apelin e Posaçëm ankimin e bërë nga Emiljano Shullazi kundër qëndrimit të tij në regjimin e ashpër të ashtuquajtur “41 bis”.
Tashmë çështja do të rikthehet në Apelin e Posaçëm me një trupë gjykuese të re, që do të vendosë nëse Shullazi duhet të vazhdojë të qëndrojë në regjim apo duhet të dalë nga aty dhe të dërgohet në një qeli të zakonshme.
Pas 83 seancash gjyqësore të zhvilluara në dy vite, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me vendim të formës së prerë me 55 vite burg Emiliano Shullazin dhe grupin e tij, nën akuzën e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Avokatët e tij e kanë cilësuar si të jashtëligjshëm vendimin për mbajtjen në regjimin e posaçëm të klientit të tyre, sa kohë që nuk ka një vendim final nga Gjykata e Apelit të Posaçëm.
Në një regjim të tillë, është përcaktuar të vuajnë vetëm ata persona që kanë një vendim të formës së prerë, ose ka indicie serioze që ata kanë kryer vepra të tjera penale gjatë kohës që janë në qeli dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë.
Vetë Shullazi është dënuar me 14 vite burg, me 12 vite burg Gilmando Danin, me 10 vite Endrit Qyqja, Indrit Zela me 10 vite dhe me 9 vite burg Blerim Shullazi.
Po ashtu, Shullazi vijon të jetë në hetim nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” të Vajdim Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje e cila ka ndodhur në shkurt të vitit 2005 në kryeqytet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.