Drejtësia

Gjykata e Lartë refuzon lirinë për dy bashkëpunëtorët e Rezart Taçit

Gazeta Si – Dy bashkëpunëtorët e biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçit do të mbeten në burg. Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin për masë më të butë sigurie të Artur Ballës dhe Bledar Lilos, të akuzuar nga SPAK për “pastrim parash”, në kuadër të grupit kriminal.

Kunati dhe shoferi i biznesmenit Rezart Taçi, do vijojnë të hetohen në masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ndërkohë që Taçi, vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtat akuza, pasi edhe ndaj tij është caktuar masa e “arrestit me burg” në mungesë.

Lilo dhe Balla kanë mohuar akuzat që prej arrestimit. Në rekurs, Lilo ka pretenduar se nuk ka lidhje me akuzat, pasi është vetëm shofer.

Ndërsa kunati i Taçit, ka kërkuar masë më të butë sigurie, por të dyja këto kërkesa janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.

Ky hetim nisi nga SPAK dhe anti-mafia italiane pas transfertës së rreth 19 mln eurove nga Zvicra në Shqipëri. Sipas SPAK dhe Antimafias Italiane, në këtë skemë ishin përfshirë 7 persona, 4 italianë dhe 3 shqiptarë.

Skema e pastrimit të parave drejtohej nga 90-vjeçari, Francesco Zummo, ekonomiti i tij, Fabio Petruzzella dhe shtetasit me inicilalet I.Z., dhe D.C., të cilët në bashkëpunim me Rezart Taçin dyshohet e pastronin para përmes bizneseve të tij.

Sipas strukturës anti korrupsion, Artur Balla dhe Bledar Lilo kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, por dhe jashtë vendit, kryesisht Zvicrës, për pastrimin e parave.

Hetimet janë ende në vijim po verifikohen llogaritë bankare të këtyre shtetasve nëse janë bërë apo jo transaksione të tjera, për të parë nëse jenë futur para që e kanë prejardhjen nga krimi i organizuar.

Ndërkohë, ekonomisti i Palermos, Fabio Petruzzella, i arrestuar me akuzën e pastrimit të parave në bashkëpunim me Rezart Taçin, si dhe krahu i djathtë menaxherit të parave të mafies italiane, Francesco Zummo, është në burg në Itali.

Ishin përgjimet e SPAK ato që zbuluan përfshirjen e Rezart Taçit, ku më 6 tetor 2021, ai i thotë Francesco Zummos se paratë ia garantonte me asetet e tij, duke i kërkuar të kishte besim pas hapjes së llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë.

Nga hetimet e SPAK, kunati I Taçit, Artur Balla dhe ish-truproja e tij, Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Zummo dhe Petruzzella të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.

Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri  dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili i ka mohuar akuzat dhe është shprehur i gatshëm të dalë para drejtësisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë