Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm ndaj Aldo Bares, i cilësuar ndryshe si ish-kreu i Bandës së Lushnjës.
Bare kërkoi shpalljen si antikushtetues të tre vendimeve të dhëna ndaj tij që nga viti 2011 deri në 2015.
Ky vendim vjen 10 vite pas vendimit të marrë nga gjykata e Apelit në 2012-tën. Bare bëri rekurs të vendimit me burgim të përjetshëm. Ndërkohë prej vitesh ai vuan dënimin në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin.
“U vendos: Lënia në fuqi e vendimit nr.49 datë 16/07/2012 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Tiranë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë.
Sipas prokurorisë, Aldo Bare ka kryer një sërë vrasjesh e vepra penale për të cilat ai duhet të qëndrojë në qeli përjetë, por do të jetë Kushtetuesja, ajo që do vendosë nëse është kryer apo jo shkelje ligjore gjatë dhënies së dënimit.
Aldo Bare është dënuar me “burg përjetë” për 4 vrasje mes tyre dhe Artur Dajës, me të cilin banda e tij u konfliktua gjatë viteve ‘97, pasi këta të fundit i vranë vëllain.
Ai u akuzua edhe për 4 vrasje të mbetura në tentativë, krijim të organizatës kriminale, armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone me zjarr si dhe trafik droge.
Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Ndërsa kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë u pranua në fundin e vitit 2009 kur ish kreu i bandës kriminale të Lushnjës mbërriti me charter në Aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ nën mbikëqyrjen e forcave të shumta të sigurisë.
Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri.
Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares, së cilës drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.
Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë.
Hasmëritë nga ngjarjet e vitit '97 vijojnë edhe sot e kësaj dite, ku familjarë apo miq të Bares janë tentuar të ekzekutohen në atentate të ndryshme nga ish-rivalët e mbetur të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.