Drejtësia

Gjykata e Lartë kthen për rigjykim dosjen ‘Lazarati’, fati i 5 anëtarëve të grupit të zjarrit në dorë të GJKKO

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka rikthyer për rigjykim në GJKKO 5 të pandehurit e akuzuar si pjesë e grupit të zjarrit në Lazarat. Ata akuzohen se kundërshtuan me armë punonjësit e policisë në operacionin e parë në vitin 2014.

Arbjon Aliko, Gurgaz Skënderi, Alfred Proko, Enrik Skënderi dhe Beqo Brahimaj u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda në total me 52 vite burg nga 57 që kërkoi prokuroria, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

Por Gjykata e Lartë, pasi e ka marrë në shqyrtim këtë çështje, ka vendosur ta rikthejë për rigjykim, këtë herë në Gjykatën e Posaçme.

Mësohet se gjykata ka konstatuar shkelje procedurale nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në atë kohë, duke kërkuar rigjykimin e dosjes nga GJKKO.

Në qershor të vitit 2014, 1 vit pasi kishte ardhur në pushtet, qeveria “Rama” vendosi të ndërhyjë në Lazarat, fshatin që ishte simboli i kultivimit të drogës në gjithë vendin.

Aksioni përfshiu rreth 1 mijë forca policore dhe drejtohej nga Artan Didi, asokohe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Për më shumë se një javë, forcat e policisë kryen kontrolle në gjithë shtëpitë e fshatit duke realizuar kapjen e një sasie rekord droge.

Aksioni në Lazarat në vitin 2014 u cilësua si një nga më të suksesshmit, duke i dhënë fund paligjshmërisë që vijonte që prej 20 vitesh në këtë zonë.

Gjykata e Krimeve të Rënda dha këto dënime për të akuzuarit

Arbjon Aliko-13 vite burg

Gurgaz Skënderi-11 vite burg

Enrik Skënderi-10 vite burg

Alfred Proko-10 vite burg

Beqo Brahimi-8 vite burg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë