Drejtësia

Gjykata e Lartë konfirmon 122 vite burg ndaj 7 personave për grabitjen e 4.6 mln eurove në Rinas

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e 7 personave të akuzuar në grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas në prill 2019, duke lënë në fuqi dënimin total prej 122 vitesh burg.

Sipas vendimit, Klement Çala është dënuar me 20 vite, ndërsa secili nga 6 të tjerët ka marrë nga 17 vite burg.

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme, thuhet se truri i organizimit të grabitjes ishte Admir Murataj që u vra, ditën e ngjarjes gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat e policisë.

Po ashtu krahu i tij i djathtë në këtë ngjarje është cilësuar Klement Cala, që u dënua me 20 vite burg. Ndërsa nga 17 vite heqje lirie është vendosur për 6 të pandehurit e tjerë, Eldi Cala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Cela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi.

Edhe pse u shpllën fajtorë me vendim të formës së prerë, ata nuk i kanë pranuar akuzat e prokurorisë. Alkond Bengasi fillimisht bashkëpunoi me autoritetet, por më pa u tërhoq. 

I dyshuar për këtë ngjarje është edhe i shumëkërkuari Talo Çela, por çështja në ngarkim të tij është ndarë pasi vazhdon që të jetë në kërkim nga autoritetet.

Edhe pse kanë kaluar 4 vite që nga kjo ngjarje nga ana e grupit të hetimit nuk janë mundur që të gjendet paratë që janë grabitur. Gjatë arrestimit, atyre u është gjetur një sasi shumë e vogël parash, që janë krahasuar me numrin e serive të parave të humbura nga bankat e nivelit të dytë. 

Në 9 prill 2019, grupi i grabitësve u futën në aeroportin e Rinasit me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. E gjithë ngjarja ka zgjatur rreth 5 minuta.

Ata ishin të maskuar me maska silikoni. Në dosje thuhet se furgonët ishin modifikuar në një servis në qytetin e Elbasanit. 

Nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, të cilat po ngarkoheshin në një avion linje drejt Austrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë