Gazeta Si – Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë po përcjellin me shqetësim të gjitha referimet për kërcënime të magjistratëve për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.
Në një njoftim për mediat, theksohet se presionet apo kërcënimet e çfarëdolloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ata, por për të gjithë shoqërinë shqiptare.
“Qëllimi i sistemit të drejtësisë është të kryejë në mënyrë funksionale dhe parimore detyrën e tij dhe për këtë arsye duhet të jetë i mbrojtur dhe i garantuar nga çdo lloj presioni, ndërhyrje, pengimi, kufizimi, nga cilido drejtim që mund të vijë, pasi ato cënojnë rëndë funksionimin e tij, por edhe lëkundin besimin e publikut tek drejtësia”, thuhet në deklaratën për mediat të Gjykatës së Lartë.
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve.
“Gjykata e Lartë mbështet organet ligjzbatuese në marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e çdo ngjarje dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore, duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e sjelljeve të kundërligjshme.”
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë shprehin angazhimin maksimal për të kontribuuar në mbrojtjen e vlerave më të larta shoqërore dhe demokratike, që garantojnë vetë shtetin e së drejtës dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




