Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka lënë në qeli Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën, duke mos pranuar rekursin e tij kundër Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Ish-presidenti, që qëndron në qeli prej një viti, i kërkoi Gjykatës së Lartë të shfuqizojë vendimet e Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçëm, që refuzuan lirimin e tij.
Kjo është hera e dytë që Gjykata e Lartë e rrëzon një kërkesë të tillë të kryetarit të Partisë së Lirisë, i cili ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.
Në 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe çoi për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi, ndërsa më 19 shtator, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën, i cili kishte kërkuar të lirohej nga qelia.
Dosja ndaj Metës dhe të bashkëpandehurve të tjerë, ku ish-presidenti akuzohet për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”, ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



