Nga Gazeta ‘Si’– Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor për të shqyrtuar kërkesën e demokratit Ervin Salianji për pezullimin e vendimit të Apelit, që e dënoi me 1 vit burg.
Çështja do të shqyrtohet në orën 13:00 dhe relator është caktuar Sokol Binaj, sipas shortit të hedhur.
Kërkesa e Ervin Salianjit do të shqyrtohet në dhomë këshillimi. Kujtojmë që demokrati u dënua nga Gjykata e Apelit më 26 Shtator me 1 vit heqje lirie. Salianji u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës një ditë pas dhënies së vendimit nga togat e zeza dhe u dërgua në burgun e Fierit ku do të vuajë dënimin.
Katër ditë pas dënimit me burg, ish-deputeti kërkoi pezullimin e vendimit të Apelit.

Ish-deputeti i PD, i cili e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, pretendon se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej.
Sipas tij Prokuroria dhe Gjykata kanë nxituar në ekzekutimin e vendimit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë.
Më 30 shtator, Parlamenti u njoftua për dënimin e formës së prerë nga Apeli i Tiranës, gjë që çoi edhe në humbjen e mandatit përfundimtar të Salianjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




