Drejtësia

Gjykata e Lartë bëhet me 9 anëtarë, Meta dekreton gjyqtarin Asim Vokshi

Presidenti Ilir Meta ka firmosur këtë të premte dekretin për emërimin e Asim Vokshit në Gjykatën e Lartë. Me dekretimin e Vokshit, numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë që janë emëruar shkon në 9, duke e çuar drejt funksionimit, teksa numri i dosjeve që presin për gjykim është me mijëra.

Në njoftimin e institucionit të Presidencës, bëhet me dije se presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore.

Sipas tij, dukshëm krijohet bindja se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë, duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

Asim Vokshi ka mbaruar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka filluar të punojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Në vitin 2016 u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa është angazhuar edhe në mësimdhënie si lektor në fakultetin e Drejtësisë dhe në Shkollën e Magjistraturës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë