Gjykata e Kasacionit ka ndryshuar mendim për marrëveshjen e Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët në Gjadër, duke i paraqitur Gjykatës Europiane të Drejtësisë dy pyetje thelbësore: A i respektojnë vërtet marrëveshjet mes Romës dhe Tiranës direktivat evropiane? Dhe a i mbrojnë të drejtat e azilkërkuesve?
Pyetja e parë trajton pikërisht përputhshmërinë me ligjin e Unionit të një dispozite të përfshirë në ligjin që ratifikon protokollin mes Italisë dhe Shqipërisë (ligji nr. 14 i vitit 2024), ku parashikohet ndalimi pa “perspektiva të paracaktuara” për riatdhesim, çka do të ishte në kundërshtim me Direktivën 2008/115. Pyetja e dytë synon të verifikojë nëse respektohet parimi themelor i të drejtës për të qëndruar në territorin e shtetit ku bën mbrojtjen (i lidhur me nenin 9 të Direktivës për Kualifikimet). Por problemi qëndron se Shqipëria nuk është territor i shtetit italian.
Gjykata e Lartë italiane shpreh rezervën nëse operacioni “Shqipëria”, përmes të cilit struktura në Gjadër konsiderohet e njëjtë si Qendrat italiane të qëndrimit për riatdhesim, është ose jo në përputhje me rregullat dhe garancitë e të drejtave themelore që ka përcaktuar Europa. Arsyetimi i plotë i Kasacionit do të depozitohet në ditët në vijim, por ndërkohë është një vendim me peshë, që rrezikon të krijojë përçarje edhe brenda vetë drejtësisë italiane. Për më tepër, derisa të zgjidhet ky ngërç, është pak e mundshme që gjykatat dhe instancat të tjera të miratojnë mbylljen e emigrantëve në strukturat shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.