Gazeta Si – Gjykata e Apelit në Tiranë, ka vendosur të lirojë nga paraburgimi Jeton Dervishin, 39-vjeçar nga Prizreni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me dy vite burg në Hungari për kalim të paligjshëm të emigrantëve. Gjykata e Lartë në Serbi ka lëshuar ndaj tij, urdhër-arrest për të njëjtën veprimtari kriminale.
Më herët, Gjykata e Kukësit kishte miratuar ekstradimin e tij në Serbi, por avokati i tij, Sokol Tahiri, e ankimoi vendimin në Apel, duke theksuar se ishin tejkaluar afatet ligjore të paraburgimit dhe se klienti i tij ishte në rrezik serioz në rast ekstradimi.
“Afati maksimal për një masë shtrënguese për ekstradim është 3 muaj. Në këtë rast, Dervishaj mbahet prej 11 muajsh në paraburgim, çka përbën tejkalim të qartë të afateve ligjore dhe e bën të pavlefshme masën e sigurisë,” – thuhej në argumentimin e avokatit.
Tahiri shtoi gjithashtu se klienti i tij është pjesë e një “familjeje të luftës” dhe ekstradimi drejt Serbisë do të përbënte rrezik real për jetën dhe sigurinë e tij.
Pas shqyrtimit të ankesës, Apeli vendosi të lirojë Dervishin nga masa e paraburgimit, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë dhe duke ndalur përkohësisht procedurat për ekstradimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.