Drejtësia

Gjykata dënon me 55 vite burg vrasësit e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka dënuar me 55 vite burgim vrasësit e dyshuar të biznesmenit Edmond Papa teksa 49-vjeçari po konsumonte kafe në një lokal në orët e pasdites në zonën e Selitës në Tiranë në 16 dhjetor 2022.

Ata janë Andrew Bode, i dënuar me 30 vite burgim, i dyshuar si ekzekutor dhe Albano Velo i dënuar me 25 vite burgim, i dyshuar si organizator.

Trupa gjykuese zbatoi kërkesën e Prokurorisë, që kishte kërkuar të njëjtën masë dënimi për dy të akuzuarit.

Për hetuesit, Bode është personi që qëlloi me disa plumba ndaj Papës dhe më pas u ndihmua të largohej nga vendi i ngjarjes nga Velo.

Hetimet treguan se biznesmeni Edmond Papa dhe i vëllai i tij ishin ndjekur për disa kohë nga autorët e kësaj ngjarjeje deri në realizimin e atentatit.

Prokuroria ka gjetur prova në pajisjet telefonike të të hetuarve, ku kërkohet nga Velo interesimi për targën e makinës së përdorur nga vëllai i viktimës.

Motiv për vrasjen konsiderohet vrasja e të riut Aleksandër Sadikaj me shpërthim eksplozivi më 11 qershor 2022 në Tiranë.

Dy të pandehurit janë lidhje shoqërore e Sadikajt, dhe ky i fundit dyshohet të ishte përfshirë në një konflikt me Papën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë