Gazeta Si - Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për pezullimin e zgjedhjeve të 4 gushtit në Himarë.
Beleri kërkoi shfuqizimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili caktoi 4 gushtit si datën e zgjedhjeve në Bashkinë Himarë.
Sipas avokates së Fredi Belerit dhe PBDNJ, Klodiana Gjyzari, "presidenti caktoi një datë pa skaduar afati që Fredi Beleri të ankimojë vendimin e KQZ-së". Gjyzari theksoi se ai "ka të drejtë deri më 5 gusht ora 16:00".
Ndërsa përfaqësuesja e Presidencës u shpreh: “Presidenti u vu në lëvizje pasi organi kompetent shpalli vakancën, e po ashtu një organ tjetër kompetent e njoftoi zyrtarisht. PBDNJ e ka njohur datën 4 gusht, sepse ka vijuar me regjistrimin e kandidatit dhe fushatën. Paditësi Beleri nuk duhet të legjitimohet si palë”.
Kërkesa që i është dërguar gjykatës, do të thotë pezullim i efekteve të këtij dekreti dhe procesit zgjedhor në këtë bashki.
Më 5 korrik, presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë, menjëherë pasi KQZ vendosi heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO për korrupsion zgjedhor.
Beleri është arrestuar më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale në Himarë dhe aktualisht vuan dënimin me burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Ndërkohë, Gjykata pritet të vendosë edhe për vlefshmërinë e dekretit të Begajt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.