Shkencë

Gjurmët e gishtërinjve nuk janë aq unike sa mendohej

Nga Noemi Penna - Nuk është e nevojshme të jesh fans i serialeve televizive amerikane si “Law and Order” dhe “CSI”, për ta ditur se gjurmët e gishtërinjve konsiderohen si “standardi i artë” për lidhjen e krimeve me një autor përgjegjës për to.

Për më shumë se një shekull, rasti i parë i përdorimit sistematik të gjurmëve të gishtërinjve për identifikimin e autorit, ndodhi në vitin 1902 nga Komisioni i Shërbimit Civil të Nju Jorkut dhe e kemi marrë si të mirëqenë se gjurmët e lëna nga gishtat tanë, ishin një veçori dalluese absolutisht e besueshme e identifikimit personal.

Prandaj nuk është për t’u habitur që ato përdoren edhe në dokumente. Është vërtetuar se edhe binjakët identikë lënë gjurmë të dallueshme, gjë që i bën ata të dallueshëm dhe individualisht fajtorë për një krim të caktuar. Në fakt, ato nuk janë dhe aq unike sa kemi menduar. Dhe që ta kuptonim këtë u desh Inteligjenca Artificiale.

Inxhinierët në Universitetin e Kolumbias në SHBA, kanë hedhur poshtë besimin e kahershëm në veçantinë e gjurmëve të gishtërinjve. Ata programuan një sistem të ri “të mësuarit të thellë kontraktues”, i cili skanoi mijëra gjurmë gishtash, duke gjetur çifte (2 gjurmë) që u përkisnin njerëzve të ndryshëm, por që i atribuoheshin një personi të vetëm.

Le ta shpjegojmë pak më mirë. Kur merret një gjurmë, presioni, pozicioni dhe materiali mund të ndikojnë në modelin e tyre, dhe AI ka gjetur një mënyrë më të saktë për ta përshtatur atë me gjurmën origjinale. Por ndërkohë ka zbuluar se edhe gjurmët e dy gishtave të të njëjtit person mund t’i përkasin gishtave të njerëzve të ndryshëm.

“Ndonjëherë çiftet i përkisnin dy gishtave të të njëjtit person. Herë të tjera gishtave të veçantë të njerëzve të ndryshëm”- specifikon autori kryesor i studimit, studiuesi Gabe Guo. Deri më sot ne i kemi nënvlerësuar ngjashmëritë dhe i kemi krahasuar në mënyrë të gabuar.

Ky zbulim mund të zhvlerësojë dhjetëra akuza, bazuar vetëm në krahasimin e gjurmëve të gishtave. Por mundet edhe të përputhen me të njëjtin person me dy skena të ndryshme krimi, në të cilat ka lënë gjurmë gishtash të ndryshëm, duke ia hedhur pa u ndëshkuar.

Për të identifikuar një gjurmë gishti, përdoren 150 “modele”. Ka programe kompjuterike që i identifikojnë dhe i analizojnë derisa të gjendet përputhshmëria e saktë midis kreshtave, imtësirave dhe bifurkacioneve. Inteligjenca Artificiale, e trajnuar me 60 mijë shenja gishtash nga një bazë të dhënash publike e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, ka gjetur një mënyrë të re dhe shumë më efikase për të analizuar mostrat.

Kjo çon në një identifikim më të saktë, të aftë për të thënë “kur gjurmët e gishtave në dukje unike, i përkisnin të njëjtit person dhe kur jo”. Saktësia për një çift gjurmësh arriti në 77 për qind. Dhe kur u prezantuan më shumë çifte, saktësia u rrit ndjeshëm, duke e rritur me më shumë se 10 herë efikasitetin aktual të autoriteteve të mjekësisë ligjore.

Por çfarë informacioni përdorte në të vërtetë kompjuteri, dhe si iu shmang analizave mjeko-ligjore për dekada? Pas vizualizimeve të kujdesshme të procesit të vendimmarrjes së sistemit të Inteligjencës Artificiale, ekipi arriti në përfundimin se rrjeti nervor zbuloi “modele” të reja krahasimi.

“Jo imtësitë, degëzimet dhe pikat fundore në kreshtat e gjurmëve të gishtërinjve, të cilat janë treguesit standardë, por më shumë këndet dhe lakimet e vorbullave dhe unazave në qendër të gjurmës së gishtit”- thekson Guo. Prandaj, ky sistem më i saktë na ka lejuar të kuptojmë se dy gishta të ndryshëm por të ngjashëm midis tyre, mund të lënë një gjurmë identike.

“Ne mund ta imagjinojmë se sa shumë do të përmirësohet sistemi pasi të trajnohet mbi miliona, dhe jo mbi mijëra gjurmë gishtash”- thekson ai. Projekti, i lindur nga një bashkëpunim midis laboratorit “Creative Machines” të Hod Lipson nga Universiteti i Kolumbias dhe laboratorit “Embedded Sensors and Computing” të drejtuar nga Ëenyao Xu i Universitetit të Buffalos, është botuar në revistën “Science Advances”.

Por rruga e publikimit të tij nuk ishte aq e zakonshme. Pasi u verifikuan rezultatet, ekipi i Guo-s i dërgoi shpejt ato në një revistë prestigjioze të mjekësisë ligjore, vetëm për t’u refuzuar disa muaj më vonë. Një rishikuesi anonim i studimit, arriti në përfundimin se “dihet shumë mirë se çdo gjurmë gishti është unike”, dhe për këtë arsye nuk do të ishte e mundur që të zbuloheshin ngjashmëritë.

Por ekipi i studiuesve nuk u dorëzua. Kështu, sistemi i Inteligjencës Artificiale u furnizua me akoma më shumë të dhëna, duke e përmirësuar performancën. Të vetëdijshëm për skepticizmin e komunitetit mjeko-ligjor, ekipi vendosi t’ia dorëzonte studimin një audience  më të përgjithshme.

Studimi u refuzua sërish, por profesorët e Univesitetin të Kolumbias u shprehën duke thënë se “Zakonisht ne nuk diskutojmë vendimet e bordit editorial, por ky zbulim ishte shumë i rëndësishëm për t’u injoruar. Ky informacion ndryshon shumë gjëra. Sepse mund të rihapen rastet e pazgjidhura, madje mund të lirohen nga burgu njerëzit e pafajshëm”-  thotë Hod Lipson.

Dhe pas disa refuzimesh nga botues të ndryshëm, artikulli u pranua më në fund nga Shoqata Amerikane për Përparimin e Shkencës. Në fakt, deri më tani sistemi nuk është ende gati për t’u përdorur si standardi i ri në hetimet policore, por sigurisht që mund të ndihmojë në situata të paqarta.

Ekipi i studiuesve është i vetëdijshëm për paragjykimet e mundshme mbi të dhënat, si dhe për nevojën për të zgjeruar kampionin e të dhënave. Por ky zbulim, është gjithsesi “një shembull i shumë gjërave befasuese që do të vijnë nga Inteligjenca Artificiale” thekson Lipson.

Shumë ekspertë mendojnë se nuk mund të bëjë zbulime vërtet të reja, dhe se ai vetëm sa do të rifreskojë dijet tona. Megjithatë ky hulumtim, është edhe një shembull se si edhe një makineri e thjeshtë e AI mund të sigurojë njohuri që u kanë shpëtuar ekspertëve për dekada të tëra. Ne jemi gati të përjetojmë një bum zbulimesh shkencore të nxitura nga Inteligjenca Artificiale, me të cilat do të duhet të përballet bota akademike.

Burimi: La Stampa. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë