Ne rrjet

‘Gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni’/ Ali Ahmeti: Kurti të tërheqë deklaratën! E pavërtetë

Nga Gazeta 'Si' - Opozita në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili, të hënën, pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua në Prishtinë, tha se në Maqedoninë e Veriut “nuk ekziston ligj për përdorimin e gjuhës shqipe”.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, deklaratën e Kurtit e cilësuan si “të pavërtetë dhe të papranueshme”, duke i bërë thirrje që t’i “korrigjojë menjëherë deklaratat dhe të mos shërbejë si mburojë për përpjekje që cenojnë barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve”.

“Është për keqardhje që një kryeministër i Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativët që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sugjerimet se disa nene të Ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm, u japin alibi përpjekjeve për ta dobësuar këtë legjislacion vital”, thuhet në komunikatën e BDI-së cila u publikua të martën.

Sipas Ali Ahmetit, kreu i BDI gjuha shqipe është zyrtare në këtë shtet dhe do të mbrohet me çdo kusht.

“Më shqetësoi deklarata e kryeministrit të Kosovës! Dua të besoj që është i keqinformuar nga bashkë ish-partiakët e mi që shumica kanë qenë për Ligjin e Gjuhës. Nuk do të doja ta dëgjoja nga kryeministri i Kosovës se gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoni. Nuk do të doja ta dëgjoja”, tha Ahmeti.

Ahmeti kujtoi dhe njëherë të gjitha sakrificat e dëshmorëve për gjuhën shqipe.

“Për atë gjuhë zyrtare djemtë e nënave kosovare dergjen në Sllupçan të Kumanovës. Nënat nuk i kanë marrë t'i vajtojnë , t'i varrosin andej. Po i kanë lënë se e kanë ditë që nëna shqiptare i vajton dhe ua përkëdhel  ballin edhe këtu. Edhe ata janë këtu, nuk prehen në Kosovë. Në mbrojtje të gjuhës dhe të gjakut që kanë derdh. Prandaj më vjen keq për këta bashkëpartiakë që e kanë keqinformuar  Kryeministrin e Kosovës që gjuha shqipe nuk është zyrtare”, theksoi ai.

Çfarë thotë Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Neni 1 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, thotë se në tërë territorin në Republikën Maqedonisë (së Veriut) dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër, që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe) gjithashtu është gjuhë zyrtare si dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.

Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorge Ivanov, refuzoi dekretimin e tij, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë, ndonëse gjatë debatit në kundërshtim të tij paraqiti mbi 30 mijë amendamente (35.563).

Si presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësuan ligjin si antikushtetues. Lënda që lidhet me Ligjin për gjuhët përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019.

Këto iniciativa kontestojnë thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij. Tani, pas shtatë vjetësh, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e këtij ligji. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickovski, ka thënë se nuk kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy - tri dispozita”.

Kreu i BDI-së, Ahmeti, më 27 tetor, u dërgoi edhe letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Kur është fjala për shqetësimet dhe debatet lidhur me vendimin e pritshëm të Kushtetueses, në një takim të zhvilluar më 13 nëntor në Tiranë me kryetarin e Kuvendit maqedonas, Afrim Gashi, por edhe gjatë vizitës së saj në Shkup, më 23 tetor, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, porositi se “respektimi i gjuhës shqipe dhe të drejtave të fituara të shqiptarëve, i shërben kohezionit, mirëkuptimit dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar VLEN, tha se gjuha shqipe nuk cenohet nga Qeveria dhe se të drejtat e qytetarëve nuk do të degradojnë, por do të avancohen.

“Ka pasur Ligj për përdorimin e gjuhëve, gjuhë që flasin mbi 20 për qind të qytetarëve në Maqedoni të Veriut, dhe e dyta, nuk cenohet nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut”, tha Mexhiti pas takimit ndërqeveritar mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, kreu i BDI-së, gjatë një takimi në lokalitetin Butel të Shkupit të hënën, porositi të gjithë faktorët politikë brenda dhe jashtë shtetit se “Marrëveshja e Ohrit është arritur me gjakun e dëshmorëve, dhe është jetësuar me djemtë më të mirë të UÇK-së (Ushtria Çlirimtare Kombëtare) që vazhduan idealin e tyre në BDI, andaj sa të jetë gjallë BDI-ja, në opozitë apo në pozitë, themelet e Marrëveshjes së Ohrit nuk tolerojmë të preken


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë