Mateo Berretini fitoi setin e parë, më pas Gjokoviç barazoi shifrat dhe e mbylli ndeshjen me rezultatin 3-1 (6-7, 6-4, 6-4 dhe 6-3).
Ëndrra e italianit Mateo Berretini ka përfunduar në finalen e Uimbëlldonit, ku Novak Gjokoviç nuk ka falur dhe ka fituar turneun e 20-të Slam, duke barazuar Roxher Federerin dhe Rafael Nadalin. Tashmë serbi synon “Grande Slam”, një arritje që mungon në tenisin e meshkujve prej vitit 1969, kur këtë gjë e bëri Rod Laver. Për Nolen është titulli i 6-të i Slam-it londinez.

Seti i parë ishte mjaft emocionues, me Berretinin që arriti të rikuperonte dhe të fitonte me “tie break”. Por adrenalina e braktisi italianin në setin e dytë. Ai vetëm arriti të shkurtonte diferencën, sepse Gjokoviç e rriti lojën dhe e mbylli këtë set 6-4.
Në setin e tretë, sërish serbi ishte në gjendje t’i merrte shërbimin Berretinit. Gjokoviç ishte i pandalshëm dhe i uritur. Ai e mbylli setin e tretë 6-4 dhe mori avantazhin në 2-1. Në setin e katërt pati më shumë ekuilibër, me Berretinin që u bë i rrezikshëm në gejmin e 5-të, por në atë moment Nole tregoi vlerat e tij prej fenomeni. Italiani nuk kishte çfarë të bënte, veçse të dorëzohej përpara numrit 1 në botë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




