Novak Djokoviç është ndaluar sërish, sërish në “Park Hotel”, në pritje të vendimit që do të jepet nga një kolegj i përbërë nga tre gjyqtarë: James Allsop, Anthony Besanko dhe David O’Callaghan, të cilët do t’i japin fund sagës, sepse më pas nuk është e mundur të bëhet një tjetër apelim.
Numri 1 i tenisit botëror do të kontrollohet nga dy agjentë të emigracionit deri sa të jepet vendimi. Gjokoviç tashmë ndodhet në strukturën ku qëndrojnë emigrantët e parregullt, bashkë me 33 persona të tjerë që kanë kërkuar azil.
“Prania e Gjokoviçit në Australi mund të favorizojë qëndrimin antivaksinë”, – ka thënë ministri i emigracionit Alex Hawke, duke justifikuar vendimin që ai mori për revokimin e vistos së tenistit serb. Avokatët e Gjokoviçit pretendojnë se qeveria australiane nuk ka dhënë asnjë provë për vendimin që ka marrë. Nëse vistoja e tenistit anulohet përfundimisht, Gjokoviç rrezikon të mos hyjë në Australi për 3 vjet.

Telenovela e numrit 1 në botë ka filluar të bëhet e bezdisshme edhe për kolegët e tij. “Sinqerisht, jam pak i lodhur me këtë histori, – ka thënë Rafael Nadal, i cili është vaksinuar, ashtu si 97 kolegë të tjerë. – Australian Open është shumë më i rëndësishëm se çdo lojtar. Nëse Gjokoviç do të luajë, ok, por edhe nëse nuk do të luajë, Australian Open do të mbetet një turne i madh. Ky është gykimi im”.
Edhe Stefanos Tsitsipas është shprehur se duhet të flitet më shumë për tenisin: “Nuk dua të gënjej, ka qenë lajmi kryesor kudo gjatë dy javëve të fundit, por ne jemi këtu për të folur për tenisin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




